
Gjirokastër Museum Gjirokaster
Rruga Gjin Bue Shpata
Gjirokaster Gjirokastër County
Albania
19:00
19:00
19:00
19:00
19:00
19:00
19:00
博物館
Gjirokastër Museum Gjirokaster
DETTAGLI
Kronikë në gur (点)
“Ky ishte një qytet i çuditshëm, që dukej sikur kishte dalë në luginë një natë dimri si një qenie parahistorike dhe, duke u kacavjerrë me mundime të mëdha, i ishte qepur faqes së malit. Gjithçka në këtë qytet ishte e vjetër dhe e gurtë, duke u nisur nga rrugët dhe krojet e gjer te pullazet e shtëpive të tij të mëdha shekullore, që ishin të mbuluar me pllaka guri ngjyrë hiri, të ngjashme me ca luspa gjigande…” “Kronikë në Gur”, Ismail Kadare, lindur në Gjirokastër më 1936
Koha e gurit – koha... ... (点)
Njëzetë mijë vjet më parë, në Grykën e Goranxisë, gjahtarë dhe mbledhës nxirrnin strall për të bërë vegla dhe armë. Guroret e strallit kanë pasur rëndësi të madhe për rajonin, që nga prehistoria. Stralli i tyre ishte me vlerë në periudhën osmane si ndezës tek armët dhe deri vonë në shek.XX përdorej nga njerëzit si ndezës zjarri. Në Epokën e Bronzit dhe të Hekurit (1500-600 p.er.), bashkësi bujqësore mbaheshin me kullotat pjellore të luginës. Edhe sot mund të shihen bregoret e krijuara nga vendvarrimet e tyre, të quajtura tuma. Fortifikime të vogla me mure guri, si Pepeli, Labova e Kryqit, Sotira, Selcka, u krijuan në anët e luginës, ku banorët mund të strehoheshin në rast rreziku.
Antigonea (点)
Antigonea lulëzoi në shek.IV-II p.e.r. Ajo u themelua nga mbreti Pirro i Epirit ( 319 – 272 p.e.r.) dhe iu dha emri i gruas së tij Antigone, e cila ishte e bija e gruas së mbretit Ptoleme të Egjiptit. Qyteti u ndërtua mbi majën e një kodre të sheshtë, sipas planimetrisë klasike të qyteteve: kishte rrethimin me mure mbrojtëse, akropoli-n (fortesë), agora-n (qendra e tregtisë dhe jetës shoqërore) dhe një rrjet të rregullt rrugësh. Antigonea lidhi aleancë me Maqedoninë në luftërat e kësaj kundër Romës. Pas disfatës së mbretit Filipi V i Maqedonisë në vitin 168 p.e.r., konsulli romak Paul Emili urdhëroi shkatërrimin e qytetit. Romakët dogjën ndërtesat, shkatërruan muret dhe shitën si skllevër banorët. Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në pah një shtresë të trashë hiri mbi qytet – dëshmi e dhunës shkatërrimtare.
Adrianopoli (点)
Në shekullin II p.e.r. perandori Adrian mendoi të rigjallëronte zonën, duke krijuar një qytet të ri, Adrianopolin. Qyteti lidhte bashkësitë e shpërndara, pas shkatërrimit të Antigonesë, afro treqind vjet më parë. Ai shërbente dhe si pikë qëndrimi e rëndësishme në këtë degëzim të Via Egnatia-s romake. Adrianopoli ishte qytet i vogël, me një varg ndërtimesh publike, përfshirë forumin, teatrin dhe banjat. Ka shumë mundësi që perandori Justinian ta ketë ringritur qytetin në shek.IV, me emrin e ri Justinianopolis, duke krijuar këtu një qendër peshkopate. Kjo duhet të ketë qenë lavdia e fundit e qytetit, para braktisjes së plotë për shkak të përmbytjeve dhe rritjes së pasigurisë që pasoi përfundimin e periudhës Paqja Romake (Pax Romana).
Varri (点)
Ky varr përmban dy skelete fëmijësh dhe është zbuluar në vitin 2011, brenda në qytetin e Adrianopolit. I përket afërsisht shek.VI.e.r. Dy trupat u gjetën në një varr Cappucina, mes tri tjegullash çatie të harkuara, njëra nga të cilat shërbente si bazë dhe dy të tjerat si mbulesë. Pak dihet për moshën e saktë të fëmijëve, gjininë e tyre ose shkakun e vdekjes. Arkeologët arsyetojnë se, fëmija më i vogël, duhet të ketë qenë nën 6 vjeç, ngaqë skeleti kishte dhëmbë qumështi dhe një dhëmb të përhershëm, që po rritej brenda kockës së nofullës (djathtas). Varrosja e pazakonshme e dy fëmijëve në një varr dhe vendndodhja e tij kaq pranë një ndërtese të madhe publike, dhe jo në varreza jashtë qytetit, të bën të mendosh se, jeta e mirërregulluar qytetare e Adrianopolit po shkonte drejt degradimit.
Gurët e gjirokastrës (点)
Kushdo që ka ecur qoftë edhe njëherë në rrugët e Gjirokastrës kur bie shi, do t’ju thoshte që gjithmonë kur të ecni në to, të shkelni në gurë të zinj. Po pse? Kjo për shkak se gurët e zinj (poshtë, majtas) kanë prejardhje nga shkëmbinj sendimentarë – ranorë, rëre dhe pluhuri të formuar mbi 100 milion vjet të shkuara. Gurët e zinj janë të ashpër në sipërfaqe dhe kjo bën që tabani i këpucës të mos shkasë kur shkel mbi to. Guri gri, pranë të ziut, është i njëjti tip guri, por shumë më i ri. Ai gjendet në rripa të mëdhenj që shkojnë deri në 4 metra trashësi, që përmbajnë shumë fletë të holla. Këta gurë janë përdorur si tjegulla çatie kudo në qytetin e vjetër të Gjirokastrës. Por çfarë janë këto gurë të bardhë e të kuq (poshtë, djathtas)? Ajo që i bën ata të rrëshqitshëm lidhet me strukturën e tyre pjesërisht kristalore, e cila u jep atyre sipërfaqe të qelqtë. Këto gurë kanë tendencë të thyen shpejt, prandaj ata përdoren shumë rrallë për ndërtim, edhe pse janë përdorur për shtrimin e rrugëve e për dekorimin e harqeve të portave.
Familjet e fuqishme... ... (点)
Ndërsa ishte pjesë e Perandorisë Osmane, Gjirokastra qeverisej nga disa familje të fuqishme feudale, të cilave u ishin dhënë titujt “Bej” dhe “Aga”. Sipas të dhënave të kohës, shpesh familjet ishin në armiqësi me njëra-tjetrën dhe pronat kalonin rregullisht tek më të fortët. Udhëtari dhe diplomati Francois Pouqueville (1770-1838) përshkruan vizitën e tij në vitet e para 1800: “Ne u nisëm për në Argjiro-Kastro. Kur arritëm në disa burime që dilnin prej shkëmbinjve nën qytet, hasëm një grup ushtarësh shqiptarë të veshur me xhaketa kadife, qëndisur me ar, dhe të armatosur deri në dhëmbë, të porositur nga Myrteza Beu për të na shoqëruar në shtëpinë e tij. Meqë palët kundërshtare në qytet ishin në luftë të hapur, një nga shoqëruesit e mi doli para, për t’u bërë me dije krerëve ardhjen time; të shtënat pushuan, jo vetëm gjatë kalimit tonë nëpër qytet por për gjithë ditën. Myrtezanë e gjeta në llogore në kalanë e tij, bashkë me vasalët e vet, të armatosur deri në dhëmbë…”
Furra (点)
Kjo është një furrë buke, që u zbulua në vitin 2010, gjatë punës për restaurimin e kësaj galerie. Furra na bën të mendojmë se këto galeri janë përdorur mbase si kuzhina dhe salla ngrënieje për garnizonin e qytetit. Furra të ngjashme, që ndodhen në bodrumet e kalasë mund të prodhonin mjaftueshëm bukë për një numër të madh ushtarësh që jetonin këtu. Kjo tip furre është ende sot në përdorim për pjekje. Bëni krahasimin me foton e mëposhtme të furrës së Daut Baxhellës, në qendër të Pazarit.
Sundimtari i plotfuq... ... (点)
Më 1811 Gjirokastra ra nën sundimin e Ali Pashës, sundimtar i famshëm për shkëlqimin dhe ashpërsinë, shqiptari më i famshëm i kohës. Aliu lindi në fillim të viteve 1740, pranë qytetit të vogël të Tepelenës në luginën e Drinos. Ai arriti të bëhej guvernator rajonal – pasha – i Janinës, sundues i një territori të gjerë që përfshinte pjesë të mëdha të Shqipërisë dhe Greqisë Veriore. Janina dhe Tepelena ishin dy kryeqytetet e tij binjake. Ai bëri mizori të mëdha, por solli edhe zhvillim për krahinën, duke ndërtuar fortifikime, rrugë e ura dhe nxiti tregtinë. Edhe pse ishte qeveritar i Perandorisë Osmane, ai u bë gjithnjë e më i pavarur dhe i fuqishëm, duke sfiduar pushtetin e sulltanit. Përfundimisht sulltani dërgoi ushtri të mëdha kundër tij dhe, pas 2 vjet lufte, në vitin 1822, Ali Pasha u kap me tradhëti dhe u ekzekutua në një ishull në liqenin e Janinës. Koka e tij u dërgua në Stamboll, ku dhe u varros.
Kalaja e ali pashës (点)
Ali Pasha e pushtoi Gjirokastrën që të eliminonte rivalët e tij dhe të kontrollonte Luginën e Drinos. Ali Pasha urdhëroi kryearkitektin e tij, Petro Korçari të zbatonte një program masiv ndërtimi për të zgjeruar kalanë dhe për të përmirësuar fortifikimin e saj. Ai urdhëroi ndërtimin e kullës së sahatit dhe të një ujësjellësi, që do të sillte ujë nga burime mali mëse 12 km larg, për ta grumbulluar në stera të mëdha, që ndodheshin në qendër të kalasë. Kjo mundësonte që kalaja dhe banorët e saj t’u bënin ballë rrethimeve. Kjo kala e madhe mund të strehonte 5000 ushtarë, me gjithë municionet dhe pajisjet. Kalaja ishte e pajisur me 85 gryka artilerie, kryesisht britanike, të cilat mbaheshin si më të mirat e kohës. Në sajë të gjithë atyre fortifikimeve dhe grykave të zjarrit, Kalaja e Gjirokastrës nuk u rrezikua kurrë gjatë jetës së Ali Pashës. I biri, Myftar Pasha ia dorëzoi kalanë ushtrisë turke në këmbim të jetës së tij, më 1820.
Evlia çelebi (点)
Zyrtari osman Evlia Çelebi udhëtoi në shek. XVII kudo nëpër Perandorinë Osmane. Ai ishte në Gjirokastër në vitin 1670 dhe ditarët e tij sjellin përshkrimin e parë shumëngjyrësh të jetës së përditshme: “Nëse në Gjirokastër dikujt i del ndonjë puçërr a çiban, të gjithë thonë se ka murtajën dhe i rrinë larg… Për gati dy vjet me radhë askush nuk shkel në shtëpinë e tij që ka pasur murtajën; edhe pas kësaj, vazhdojnë ta lajnë e ta shpëlajnë shtëpinë me uthull, ta dezinfektojnë me barishte të ndryshme aromatike, të shembin e të ringrenë pjesë të ndryshme të shtëpisë dhe të lyejnë me gëlqere të gjitha dhomat para se të hyjnë. …njerëzit këtu rrojnë gjatë. Ka që arrijnë moshën 170 vjeç dhe ende mbahen mirë, megjithëse nuk kanë gjallërinë e mëparshme.”
Francois pouqueville... ... (点)
Francois Pouqueville, shkrimtar dhe diplomat francez në oborrin osman, vizitoi Gjirokastrën në fillim të shek.XIX: “Argiro-Kastro, të cilën e gjeta të shushatur nga grindje gjakatare dhe të pafundme, është vendosur në “tre rripa” që nisin nga malet në perëndim… Mbi majat e dhëmbëzuara janë ndërtuar shtëpitë, disa të ngjitura në buzë të greminës, si fole dallëndyshesh. Banesat solide prej guri janë të pajisura me frëngji dhe, sipas pasurisë së të zotëve, rrethohen me mure mbrojtëse, të përforcuara nga kulla. Sa më e vështirë hyrja, aq më shumë vlerësohet shtëpia. Mbi përroskat janë hedhur ura për komunikim; të tjera mure shërbejnë për të mbështetur pjesë të dala të ndonjë ndërtese. Përzierja e çuditshme e kullave, godinave ekstravagante, shtëpive që qëndrojnë pezull në ajër ose në skajet e shkëmbinjve apo greminave, përshtatet mirë me gjendjen e armiqësisë, në të cilën jetojnë njerëzit…”
Lord byron (点)
Poeti romantik Lord Byron, vizitoi Ali Pashën në Tepelenë, në vitin 1809. Ai shkroi për këtë në poemën epike Udhëtimi i Çajlld Haroldit: …Dielli po perëndon përtej Tomorrit, E Vjosa vjen me valë të egërsuar; Hijet e natës po mbulojnë dhenë, Tek rusej me kujdes tërthores thikë Haroldi pa, si meteor në qiell, Xhamit’e ndritura të Tepelenës Dhe muret e kalasë përmbi lumë, Sa qasej, ndjente zhurmë luftëtarësh E cila shtonte flladin vajtimtar të grykës…
Edward lear (点)
Piktori peizazhist dhe poeti anglez Edward Lear vizitoi Gjirokastrën në vitin 1848 dhe përsëri në 1859, gjatë udhëtimeve të tij në Ballkan. Ai qëndroi në një bujtinë në qendër të Gjirokastrës dhe u mrekullua nga jeta që gjeti në qytet: “…Po mbaj vesh! – përsëri kujë! Qetësia e qytetit në faqe të malit papritur prishet dhe gjithë bota e Gjirokastrës ngjethet nga britma ogurzeza! O qiell! Çfarë kuje britmash! A thua i gjithë qyteti epirot të jetë trallisur? Shkaku i gjithë kësaj është se sapo ka mbërritur lajmi që një nga tregtarët më të mëdhenj gjirokastritë, ka ndërruar jetë papritur në Stamboll. Hoxha këndon nga xhamia përballë me ca nota të egra e shumë të trishtueshme, që ngrihen… Pastaj, fëmilja e të ndjerit shpërthen në kor me kujë e britma shurdhuese dhe qarje të hatashme, gjysmë ngashërime e gjysmë britma therrëse. Vaji përcillet shtëpi më shtëpi dhe, në më pak se një orë, melodia e dëshpërimit dhe e zisë sundon gjithë vendin, si shpërthim nga shkrepat e lartë dhe vazhdon si jehonë në thellësitë poshtë – çjerrëse dhe solemne, në bas dhe soprano – një vajtim i përgjithshëm zie.”
Mjeshtrat e gurit (点)
Krahas kalave, Ali Pasha urdhëroi ndërtimin e shumë rrugëve, urave dhe ujësjellësve. Suksesi i këtyre projekteve ishte sa rezultat i fuqisë dhe autoritetit të Aliut, aq edhe i aftësive të mjeshtërve vendas. Muratorët e këtyre anëve ishin të famshëm në të gjithë perandorinë osmane për mjeshtërinë në ndërtimin e harqeve të larta prej guri, urave elegante, ujësjellësve dhe cezmave publike, disa nga të cilat mund të shihen edhe sot në Gjirokastër dhe rreth saj. Çelebiu, udhëtari i shek.XVII, vërente aftësitë e jashtëzakonshme matematikore të këtyre mjeshtërve. Në fillim të shek. XIX, një e katërta e 400 punëtorëve, që merreshin me menaxhimin e çezmave dhe ujësjellësve në Stamboll, ishin shqiptarë.
Kostumet tradicional... ... (点)
Kultura e pasur e Gjirokastrës pasqyrohet edhe në kostumet e mrekullueshme tradicionale. Në Gjirokastër ka 8 stile tradicionale me rreth 27 tipa kostumesh dhe afro 100 variante unike. Shumëllojshmëria e kostumeve në këtë zonë tregon për pasurinë historike të rajonit. Tradicionalisht, veshja e shqiptarit komunikonte shumë të dhëna për atë që e mbante – krahinën, statusin familjar, pasurinë dhe pozitën e familjes, moshën e të tjera. Këto veshje janë dritare për të kaluarën. Mendohet që disa përbërës të tyre vijnë nga periudha klasike.
Armët (点)
Armët dhe nevoja për t’i mbajtur ato, ka qenë pjesë e jetës në këtë rajon për shumë shekuj. Kjo lidhet me një sërë faktorësh si: pasiguria në rajon, frika nga pushtimet, banditizmi e gjakmarrja, si dhe nga fakti se armatosja tregonte prestigj. Shqiptarët shpesh janë përshkruar në literaturë si “popull luftëtar”. Shumë nga gravurat e hershme, tregojnë pothuajse gjithmonë burrat shqiptarë që mbajnë armë. Në Muzeun Kombëtar të Armëve (në katin e sipërm) ka shumë tipe armësh, e disa prej tyre ekspozohen edhe këtu. Gjatë sundimit osman, shumë tipe të reja armësh u futën në Shqipëri, ku ato shpejt filluan të prodhohen nga mjeshtrat vendas. Elbasani në Shqipërinë e Mesme, u bë qendër e rëndësishme për prodhimin e armëve; në fillim të shek.të XIX, qyteti ka pasur 253 armëpunues. Në përgjithësi është e vështirë të përcaktohet data e prodhimit të tyre në rajon, pasi lloje të ndryshme armësh kanë vazhduar të prodhohen gjatë, edhe pasi ato dolën “jashtë mode” në pjesë të tjera të Europës. Për shembull, Edit Durham ka blerë në vitin 1904 një pistoletë të re tip “bisht-miu”, me çark nga një armëpunues në Elbasan. Ajo shkroi, “Mendoj se këto ishin pistoletat e fundit me çark që prodhoheshin për përdorim në Europë.”
Çerçiz topulli (点)
Çerçiz Topulli është një nga heronjtë më të njohur të Gjirokastrës i cili luftoi për Pavarësinë e Shqipërisë në fillim të shek.XX. Në 25 shkurt 1908, çeta e Çerçiz Topullit vrau komandantin e xhandarmërisë turke në Gjirokastër. Luftëtarët e çetës u larguan për në fshatin pranë, Mashkullorë, ku u rrethuan nga 150 trupa osmane. Megjithëse shumë më të paktë në numër, Çerçiz Topulli dhe luftëtarët e tij i bënë ballë sulmit dhe u larguan në male. Një nga bashkëluftëtarët e Topullit ishte Mihal Grameno, i cili themeloi gazetën e parë në gjuhën shqipe në qytetin e Korçës. Ai ka shkruar kështu për ngjarjen: “Plumbat na vinin si breshër…ne ua kthyem me plumba dhe me këngë patriotike.” Pas shpalljes së pavarësisë në 1912, Topulli vazhdoi luftën për mbrojtjen e kufijve të shtetit të ri shqiptar. U vra në përpjekjet gjatë Luftës së Parë Botërore në Shqipërinë e Veriut.
Eqrem çabej (点)
Eqrem Çabej ishte etnolog, historian, gjuhëtar e autor tekstesh shkollore, si dhe punëtor i palodhur për gjuhën shqipe dhe studimet shqiptare. Ai lindi në Gjirokastër në vitin 1908 dhe vdiq në 1982 në Romë. Ishte ndër themeluesit e Universitetit të Tiranës dhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Universiteti i Gjirokastrës mban emrin e tij.
Shtëpitë kulla të fo... ... (点)
Gjirokastra është e famshme për shtëpitë e fortifikuara, të cilat janë “ngulur” nëpër shpate dhe lidhen me shtigje gjarpëruese. Qyteti ka rreth 600 ndërtesa të tilla historike, të ndërtuara në shek. XVIII dhe XIX, kur Gjirokastra arriti kulmin si qendër me rëndësi e Perandorisë Osmane. Shtëpitë e fortifikuara u përkisnin pronarëve vendas të tokave, zyrtarëve e tregtarëve dhe pasqyronin statusin dhe mënyrën e jetesës së banorëve të tyre të pasur. Nga brenda ato ishin të pasura, me dhoma të mëdha pritjeje dhe ndërtoheshin në lartësitë e kodrave, prej nga mund të shihje dhe të shiheshe nga larg. Megjithëse disa nga elementët mbrojtës të shtëpive bëheshin vetëm për t’u dukur, disa veçori të tyre, si muret e larta prej guri dhe katet përdhese pa dritare, ruheshin jo pa arsye. Mosmarrëveshjet midis fiseve çonin në hasmëri të dhunshme dhe, shpesh, familjet gjirokastrite përfshiheshin në luftë për pushtet. Udhëtari dhe mbledhësi i antikave, William Martin Leake, që vizitoi Gjirokastrën në vitin 1805, u shpreh kështu për armiqësitë në qytet: “Mali i zhveshur, në majën e të cilit gjendet qyteti, nuk mund të ishte një pozicion më i papërshtatshëm, përveç se për armiqësitë e pafund të elitës shqiptare. Familjet rivale, të cilat këtu ndahen prej njëra tjetrës nga gryka dhe prroska të thella, mund të zvarrisin armiqësitë për vite, pa arritur ndonjë rezultat efektiv.”
Rilindja kombëtare s... ... (区域)
Gjatë shek.XIX pati rritje të madhe të nacionalizmit në Europë. Deri në atë kohë, me një administrim të kujdesshëm dhe duke zbatuar politikën “përçaj dhe sundo”, Perandoria Osmane e kishte mbajtur Shqipërinë larg ideve për pavarësi. Pas ekzekutimit të Ali Pashës, perandoria u përpoq të shtrëngonte kontrollin në vend, por me dobësimin e saj të ngadalshëm, shpirti i shqiptarizmit u rrit. Në vitin 1878, patriotë të shquar u mblodhën në Kosovë dhe krijuan Lidhjen e Prizrenit për t’i bërë ballë rrezikut të copëtimit të territorit shqiptar, pas disfatës së Perandorisë në luftën ruso-turke. Po atë vit, në Kongresin e Berlinit, Lidhja propozoi krijimin e një rajoni autonom shqiptar, por kjo kërkesë nuk u pranua. Atëherë, Lidhja bëri thirrje për kryengritje të hapur kundër sundimit osman dhe shqiptarët rrëmbyen armët. Gjirokastra ishte qendër e rëndësishme rajonale e Lidhjes, ku më 1880, u zhvillua një takim historik i përfaqësuesve të pjesës jugore të vendit. Çajupi, lindur në Zagorinë e sipërme më 1866, është një nga poetët dhe shkrimtarët më të shquar të Shqipërisë dhe figurë udhëheqëse në përpjekjet për Pavarësinë e Shqipërisë. Ai shkroi poezi patriotike, romane e drama, që i dhanë famë dhe admirim. Poeti vdiq në shtëpinë e tij në Egjipt në vitin 1930; eshtrat e tij u sollën në Shqipëri, në vitin 1958. Kjo është pjesë nga një poezi që Çajupi shkroi në vitin 1902: “…Robërinë si duron, o moj Shqipëri e mjerë? Shpëtove vende të tjerë, vetë nën zgjedhë rron! Shqiptarë bëni benë të lëftoni për atdhenë.”
Feja në gjirokastër (点)
Megjithëse pasuesit e Islamit u bënë shumicë gjatë Perandorisë Osmane, Gjirokastra ka qenë në shekuj shoqëri shumë-fetare. Ortodoksët dhe katolikët kanë jetuar së bashku me myslimanët suni,sufi dhe bektashi. Bektashizmi Shqipëria është qendër e rëndësishme botërore e Bektashizmit, i cili është shumë i pranishëm në Gjirokastër. Mendohet se Bektashizmi ka lindur në shek.XIII në rajonet kufitare të Anatolisë dhe është sjellë në Shqipëri nga jeniçerët, forca ushtarake mercenare elitare të sulltanit. Duke qenë besim liberal i Islamit, Bektashizmi përqafon edhe aspekte të besimeve të tjera. Çfarë ndodhi? Në vitin 1967, regjimi komunist e shpalli Shqipërinë zyrtarisht shtet ateist dhe, pothuajse të gjitha ndërtimet e kultit u shkatërruan ose u përdorën për qëllime të tjera gjatë spastrimeve që pasuan. Dymbëdhjetë nga trembëdhjetë xhamitë e Gjirokastrës u shkatërruan dhe shumë figura fetare u burgosën ose u vranë.
mbreti zog dhe shqi... ... (点)
Pas Pavarësisë, Shqipëria u nxit të pranonte një regjim monarkik, si mënyrë që do të sillte stabilitet. Monarku i parë në vitin 1914 ishte princi gjerman Wihelm Wied, i cili mbretëroi veç 6 muaj. Pasuan një sërë qeverish të paqëndrueshme, derisa bajraktari Ahmet Zogu bindi parlamentin që ta shpallte atë mbret në 1928. Mbretëria e tij zgjati deri në vitin 1939, kur Musolini pushtoi vendin. Regjimi i Zogut solli një farë qëndrueshmërie dhe zhvillimi në Shqipëri, por vendi përsëri mbeti i i izoluar dhe i varfër. Në kohën mes dy luftërave botërore pati rritje të papunësisë dhe shumë gjirokastritë lëvizën drejt qyteteve të mëdha të vendit ose emigruan. Një burg i madh u ndërtua nga Mbreti Zog në pjesën e sipërme të kalasë në vitin 1932. Burgu u përdor nga nazistët gjatë Luftës II Botërore dhe më pas, deri në vitin 1968, nga regjimi komunist për të burgosurit politikë.
Gjirokastra gjatë lu... ... (区域)
Gjatë Luftës II Botërore, Gjirokastra do të ndërronte duar disa herë dhe çdo pushtim i ri sillte edhe më shumë pasiguri për qytetin dhe banorët. Në dhjetor 1940, ushtria greke qëndroi në qytet për 4 muaj, pasi dëboi italianët. Në prill 1941 grekët u dorëzuan përpara nazistëve, që ua rikthyen qytetin italianëve. Pas kapitullimit të Italisë, në shtator 1943, qytetin e pushtuan forcat gjermane; në nëntor 1944, me çlirimin e vendit, ai iu rikthye përfundimisht kontrollit shqiptar. Për më shumë informacion për Gjirokastrën gjatë luftës, vizitoni Muzeun Kombëtar të Armëve në katin e sipërm. “Në mëngjesin tjetër qyteti u gdhi përsëri i pushtuar. Kishin hyrë grekët…Mbi kullën e burgut, në shtyllën metalike, ku më parë qe vendosur flamuri italian me tri ngjyra, tani ishte vënë flamuri grek… …kryqi i madh atje mbi kullën e burgut u kreshpërua. Ai u bë i qartë dhe këmbëngulës. Një vizatim mbi një copë mëndafshi. Po mendoja se si ka mundësi që dy vija të drejta të vizatuara njëra mbi tjetrën mbi një copë mëndafshi, të shkaktojnë një dëshpërim të tillë tek njeriu. Një copë mëndafshi që tundet nga era, mund të dëshpërojë një qytet të tërë.” Pjesë e shkëputur nga “Kronikë në Gur”, e shkrimtarit Ismail Kadare.
Enver hoxha dhe gjir... ... (区域)
Enver Hoxha u rrit në Gjirokastër, por edhe pse thoshte se e donte shumë vendlindjen, pasi u bë udhëheqësi i qeverisë komuniste, e vizitoi jo më shumë se disa herë qytetin. Këto vizita janë të mirë dokumentuara me shumë fotografi, të cilat tregojnë skenografinë tipike të orkestruar nga regjimi, kur pritjet “entuziaste” ishin të detyrueshme. Gjatë regjimit komunist, në vendin ku kishte qenë shtëpia e tij, u ndërtua një muze, që lartësonte “birin më të famshëm” të Gjirokastrës, si dhe çlirimin e vendit gjatë Luftë Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Në vitin 1983, Hoxha botoi një libër me titull “Vitet e Vegjëlisë, Kujtime për Gjirokastrën”, ku shkroi për dashurinë e tij për qytetin. Gruas së tij, Nexhmije Hoxhës, që ishte drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, iu besua redaktimi i tekstit. Në këtë tekst-provë duken qartë anash komentet e saj, përfshirë edhe disa raste, kur ajo urdhëronte heqjen nga fotografitë të individëve që ishin “politikisht jo korrektë”.
Musine kokalari (点)
Musine Kokalari lindi në Gjirokastër më 1917. Në moshën njëzet e katër vjecare botoi një përmbledhje me dhjetë tregime në dialektin gjirokastrit, vepra e parë në letërsinë shqipe që u shkrua dhe u botua nga një grua. Dy vëllezërit e saj u ekzekutuan pa gjyq nga komunistët në 1944 dhe ajo haptas kërkoi drejtësi e ndëshkim. Ajo u dënua si “sabotatore dhe armike e popullit” dhe kaloi 18 vjet në burgun famëkeq të Burrelit, e izoluar dhe nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Pasi u lirua, ajo kaloi pjesën tjetër të jetës si pastruese në rrugë, derisa vdiq, në 1983. Nuk u lejua kurrë të përmblidhte shkrimet e veta, as të kthehej në shtëpinë e saj.


附近有更多的旅行
Muzeu i Armëve
Ismail Kadare's House
Bazar Mosque
Babameto House
Topulli House
Rruga Pazari i Vjetër Pllake
Rruga Sokaku i te Mareve