Castle of Gjirokastra Gjirokastër

Rruga Elvia Celebi
Gjirokastër Qarku i Gjirokastrës
Albania

www.gjirokastra.org/sub_links/visiting_sub/visiting_castle.html

DIM.
09:00
19:00
LUN.
09:00
19:00
MAR.
09:00
19:00
MER.
09:00
19:00
JEU.
09:00
19:00
VEN.
09:00
19:00
SAM.
09:00
19:00

Êtes-vous le propriétaire de cette entreprise?
Suggérer une modification

Tourisme

flag SQflag EN
0 Commentaires

Castle of Gjirokastra Gjirokastër

DÉTAILS

  • Kalaja e gjirokastrë... ... (Zone)

    Kështjella e Gjirokastrës është ndërtimi më mbresëlënës i këtij qyteti të gurtë dhe padyshim pika nga mund ta shijosh atë nga të katër anët, sikurse pamjet spektakolare të luginës së lumit Drino dhe maleve përreth. Ekzistenca e saj mendohet se është e hershme, ndonëse përmendet për herë të parë në vitin 1336. Sipas historianëve, muret e parë të fortesës mund të jenë ndërtuar pas rënies së qytetit antik të Adrianopolis. Kështjella mori fizionominë arkitekturore që ka sot gjatë periudhës sundimtare të Ali Pashë Tepelenës; projektuesi dhe zbatuesi kryesor ishte kryearkitekti i tij i besuar, Petro Korçari. Kjo fortesë e ndërtuar mbi një masiv shkëmbor, shtrihet në një hapësirë prej 335 metra. Referuar studiuesve të ndryshëm, të cilët zbërthejnë në gjenezë konceptin arkitekturor, kështjella mbrohej nga 7 kulla me lartësi 30 metrash dhe përshkohej nga 4 hyrje, 3 prej të cilave ishin kryesore dhe 1 ishte e dorës së dytë; ka galeri të nëndheshme që të çojnë kudo në fortesë, ndërkohë asokohe i shtonin fortësinë dhe rezistencën. Sot në brendi të saj ka disa atraksione turistike si Muzeu Kombëtar i Armëve apo Burgun e 7 penxhereve.

  • Simboli i qytetit (Point)

    Ajo çfarë shikoni ju sot janë petkat e një historie 1500 vjeçare – pjesa më e madhe e së cilës është e zhytur në mister. Kalaja e Gjirokastrës ofron një potpuri të pasur me histori nga të gjitha epokat. Vini re panelet përgjatë rrugëtimeve kryesore për të zbuluar ato më të spikaturat. Për të mësuar më shumë, vizitoni Muzeun e Gjirokastrës dhe Muzeun e Armëve (shihni hartën).   Informacion për vizitorët: 1000 m Distanca në këmbë për të vizituar kalanë nga njëri skaj në tjetrin 1 orë Koha e përafërt për të vizituar kalanë, pa muzetë 2.5 orë Koha e përafërt për të vizituar kalanë dhe të dy muzetë Pjesa më e madhe e rruginave të kalasë është pak a shumë e sheshtë, megjithëse është shtruar me gurë të ashpër kalldrëmi. Kini kujdes kur ecni në sipërfaqe jo të sheshta. Për sigurinë tuaj, qëndroni larg skajeve të mureve të kalasë apo vendeve ku mund të bini. Ka disa pjesë të kalasë që mund t’i vizitoni vetëm nëpërmjet shkallëve duke përfshirë këtu varrin e Bektashit në të djathtë të hyrjes kryesore, furrat e Osmanëve, Muzeun e Kalasë, Muzeun e Armëve si dhe burgun.

  • Monumenti i pushteti... ... (Point)

    Odhise Paskali (1903-1985) Kjo statujë e një partizani paraqet luftëtarët e rezistencës që iu kundërvunë pushtuesve Nazi-Fashistë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Partizanët janë nderuar për çlirimin e Shqipërisë nga forcat pushtuese. Diktatura komuniste shqiptare porositi shumë statuja me trajta nacionalizmi, si kjo këtu. Në këtë mënyrë, regjimi kërkonte të identifikonte qëllimet dhe arsyet e tij me ato të partizanëve dhe të fitonte mbështetjen e popullit për kontrollin që kishte vendosur në vend. Odise Paskali, i njohur si themeluesi i skulpturës shqiptare, krijoi qindra vepra. Mes tyre janë statuja e Çerçiz Topullit në sheshin qendror të Gjirokastrës dhe monumenti i Gjergj Kastriot Skënderbeut në qendër të Tiranës. Statuja këtu në kala është një kopje. Origjinali, i quajtur “Monumenti i Pushtetit Popullor”, u vendos në Përmet në 1964. (Galeria e Arteve Figurative Tiranë)

  • Tanku italian fiat... ... (Point)

    Është një mrekulli se si ka mbijetuar ky tank i vogël. Ai është një nga tre tanket e fundit të këtij modeli që ekzistojnë akoma nëpër botë, nga 283 që u porositën nga forcat italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore. I projektuar për misione zbulimi, Fiat  L6/40 u hodh në betejë për të mbushur boshllëqet që kishte ushtria italiane në tanket e kalibrit të mesëm. Të papërshtatshëm për të përballuar konfliktet në vijën e parë të frontit, shumë prej tyre u shkatërruan në fushëbetejë. Ata që mbijetuan, kaluan ngadalë në plan të dytë dhe u ricikluan për skrap. Ky tank është sjellë nga Borshi, në bregdetin jugor shqiptar, për t’u ekspozuar në Muzeun e Armëve. 

  • Furra e pjekjes e pe... ... (Point)

    Poshtë shkallëve, mund të shihni rrënojat e furrave të pjekjes që nga periudha Osmane. Kur njerëzit jetonin brenda kalasë, këto furra punonin pothuajse pa ndërprerje, për të prodhuar bukën me të cilën ushqeheshin ushtarët e pashait. Kjo lloj furre druri është akoma në përdorim edhe sot e kësaj dite. Mund ta shihni se si pjek pica dhe byrekë poshtë në Pazar, poshtë kalasë.

  • Lojërat e pushtetit... ... (Point)

    “Napoleoni ofroi dy herë që ta shpallë (Aliun) mbret të Epirit, por ky ndjek linjën angleze dhe i neverit francezët, siç më ka thënë dhe vetë. Është kaq i rëndësishëm, sa i vijnë rrotull të dyja palët, duke qenë se shqiptarët janë nënshtetasit më luftarakë të Sulltanit…” Lord Bajroni, poet anglez, 1809 Ali Pashë Tepelena (1740-1822) ishte një sundimtar i plotfuqishëm shqiptar i një pjese të madhe të Perandorisë Osmane në territoret evropiane. Gjatë mbretërimit të tij në Gjirokastër, nga 1811-1820, kalaja strehoi një garnizon të fuqishëm ushtarak. Këta topa tregojnë një histori të marrëdhënieve të jashtme mes Perandorisë Osmane dhe asaj Britanike dhe përçapjet e Ali Pashës për epërsi. Mbështetja nëpërmjet armatimit ishte në qendër të luftës botërore për pushtet, ashtu siç është edhe sot. Sulltanët e Perandorisë Osmane kufizonin furnizimin me armë të garnizoneve në skajet e Perandorisë, për të shmangur që sunduesit vendas të fitonin pushtet. Teksa Ali Pasha kërkonte të zgjeronte zotërimet e tij, filloi të shihte nga Britania për ta shtuar arsenalin. Ai ra dakord që të ndihmonte Britaninë kundër avancimit në Ballkanin Jugor gjatë Luftërave të Napoleonit (1803-1815). Në këmbim, Britania e pajisi Ali Pashën me një gamë topash dhe dy korveta (anije të vogla lufte). Lufta e vazhdueshme e Ali Pashës për pushtet do të ishte rrënimi i tij. Ai i humbi privilegjet nga qeveria Osmane dhe u shpall rebel në 1820. Ali Pasha u vra nga ushtarët e Sulltan Mahmud II në Janinë, në veri të Greqisë së sotme.

  • Një qytet i trashëgi... ... (Zone)

    Qendra historike e Gjirokastrës është regjistruar në Listën e UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore si vend me vlera të jashtëzakonshme universale. Që këtu mund të shihni disa prej ndërtesave më të rëndësishme historike të qytetit. Ato janë dëshmi e një arkitekture urbane tipike për Perandorinë Osmane, dhe për një stil jetese dhe zejtarie të shqiptarëve, për të cilin artizanët dhe restauratorët po punojnë fort për ta ruajtur.

  • një aeroplan me dy... ... (Zone)

    Historia shpesh interpretohet në mënyra të ndryshme. Kur tregohet nga dy kahe të kundërta, e njëjta histori mund të marrë dy kuptime krejt të ndryshme. Një histori e tillë është edhe mënyra se si ky aeroplan përfundoi në Kalanë e Gjirokastrës. Faktet: Ky është një Lockheed T-33 Shooting Star, një aeroplan i përdorur zakonisht për qëllime stërvitore dhe zbulimi nga Forcat Ajrore Amerikane. Në Dhjetor 1957, ai u ul në aeroportin e Rinasit, në afërsi të Tiranës. Pas disa javësh piloti u kthye në SHBA, por avioni mbeti në Shqipëri. Aeroplani u soll në Gjirokastër në mesin e viteve ‘70 për t’u ekspozuar në Muzeun e Armëve në kala. Versioni i SHBA: Sipas njoftimeve të shtypit amerikan të Janarit 1958, piloti po fluturonte nga baza ajrore e SHBA në Shatoru të Francës, drejt Napolit në Itali. Gjatë fluturimit, ai humbi në mjegullën e dendur dhe doli nga kursi. Me karburant në mbarim e sipër, ai kreu një ulje të detyruar në Shqipëri. Versioni i regjimit komunist shqiptar: Sipas transmetimeve të Radio Tiranës të po asaj kohe, pilotët e Ushtrisë Popullore Shqiptare diktuan një avion spiun të SHBA në territorin ajror shqiptar dhe e detyruan të ulej në aeroportin e Rinasit.

  • Mbyllur në kala (Point)

    Në fund të këtyre shkallëve, gjendej një nga burgjet e kalasë gjatë periudhës Osmane. Një tjetër ndodhet pikërisht pas skenës së Festivalit Folklorik. Një nga të burgosurit më të njohur të burgut të Gjirokastrës ishte mësuesi Koto Hoxhi (1824-1895) – një udhëheqës intelektual i rilindjes kombëtare shqiptare dhe një pioner i përpjekjeve për hapjen e shkollave shqipe. Gjatë viteve 1870, ai u burgos se u mësonte nxënësve gjuhën amtare, që ishte e ndaluar në Perandorinë Osmane të asaj kohe. Më pas ai u dërgua në Stamboll ku dhe vdiq në burg. Burgu i fundit i ndërtuar në kala ishte edhe më i madhi. Ai u ngrit mu në qendër të kalasë në vitin 1932, me gurët e marrë nga ujësjellësi i kalasë. Për më shumë se tre dekada, ky burg u shërbeu një sërë regjimesh – prej Mbretit Zog në vitet ’30, tek italianët, gjermanët dhe grekët gjatë Luftës së Dytë Botërore e deri tek diktatura komuniste e pas-luftës. Në vitet ’60 burgu u mbyll dhe u kthye në Muzeun e Armëve.